❀
Origjina legjendare
Si të gjitha organizmat e tjera sociale dhe politike edhe muratoria ka legjendën e saj të krijimit. Duke mbajtur parasysh kohën dhe lidhjen që mesjeta kishte me fenë judeo-kristiane dhe filozofinë greke edhe origjina e muratorisë u lidh detyrimisht me këto dy kultura. Legjendën e parë dhe më të vjetër në lidhje me origjinën e muratorisë e gjejmë në atë që njihet si Dorëshkrimi Cook, i vitit 1410.
Sipas legjendës i pari që mori nga Zoti rregullat e Gjeometrisë ishte një nga djemtë e Lamekut. Ky i fundit brezi i 7-të i trashigimisë së Adamit. Gjeometria, që iu zbulua njerëzve nuk ishte ajo e zakonshmia por gjeometria me të cilën vetë Hyji i Gjithëpushtetshëm kishte krijuar Universin. Dorëshkrime të ndryshme japin Jubalin, Jabalin apo edhe Tubal-Kainin si transmetuesit e këtij mësimi të lashtë. Duke parë ligësinë e madhe që rrethonte shoqërinë e parë njerëzore, familja e Lamekut nisi të ketë frikë nga zemërimi i Zotit dhe vendosi të ruante dijen e përftuar në dy rasa të mëdha, njëra prej mermeri (që ti rezistonte zjarrit) dhe tjetra prej druri (që ti rezistonte ujit). Profecia u realizua dhe Zoti e ndëshkoi botën përmes Përmbytjes së Madhe.
Pas përmbytjes kaluan disa shekuj deri sa ato u gjetën nga mbreti Nimrod, i biri i Kush, i cili e përdori dijen e marrë për të ndërtuar Kullën e Babelit. Ai gjithsesi e përdori këtë dije për të sfiduar Zotin dhe si pasojë rasat u fshehën në mënyrë misterioze, ndërsa sipërmarrja e tij dështoi sepse Jehovai ngatërroi gjuhët e popullit që po e ndërtonte, duke e shpërndarë atë. Rasat e zhdukura për disa shekuj mbetën në heshtje deri kur Abrahami vendosi t’ia zbuloj vendodhjen dhe përmbajtjen e tyre një prifti egjiptian të quajtur Hermes. Ky, pasi u njoh me gjeometrinë e lashtë hyjnore e përdori atë për të ndërtuar piramidat e Egjiptit dhe mori titullin Trismegistus, pra Tre herë i Madhërishëm. Rasa e dytë e ra në dorën e Pitagorës i cili përmes dijes së përftuar i dha formë shkollës së tij dhe filozofisë klasike greke. Kështu nga bijtë e Lamekut patën origjinë Gjeometria dhe Filozofia. Për ta ruajtur dijen nga abuzimi u krijua Vëllazëria e Muratorëve e cila e ruante “Artin e Shenjtë” me xhelozi në një rreth shumë të ngushtë mjeshtrash.
Nga Egjipti më pas dija u shpërnda në qytetet fenikase të Biblosit dhe Tyrit, në Izrael, Greqi dhe Romë. Vetë Tempulli i Solomonit u ndërtua nga fenikasi Hiram Abiff duke përdorur njohurinë e rasave dhe duke aplikuar aty Gjeometrinë e Shenjtë. Tempulli i Solomonit, duke qenë nën mbikqyrjen e drejtpërdrejtë të Hyjit, ishte aplikimi më i përsosur i ligjeve të Gjeometrisë së Shenjtë. Muratorët kaluan nga njëri vend në tjetrin, nga njëra kulturë në tjetrën, duke aplikuar gjeometrinë dhe simbolet e shenjta tek strukturat e secilit qytetërim. Shpërndanin mes këtyre strukturave mesazhin dhe dijen hyjnore. E bënin në mënyrë të atillë që ajo të mos binte në duart profane të cilat mund ta keqpërdornin si dikur Nimrodi i cili ngriti kulla për teësfiduar Zotin.
Nga Jerusalemi ata kaluan në Romë në vitin 46 e.s. ndërsa më tutje në Francë ku u vunë në shërbim të dinastisë Merovinge nën të cilën patën dekadencë. U ringritën me Karlin Martel në mes të shekullit të VIII. Në vitin 910 ngritën me porosi të Urdhërit Benediktinë, Manastirin e Clunynë të cilin strehuan dijen e tyre mijëvjeçare dhe u rikthyen në lavdinë e tyre të dikurshme. Nga Franca shkuan në Angli e aty më pas do ti jepnin jetë Muratorisë.
❀
Origjina historike
(shek. IX-1248)
Origjina historike e Muratorisë ka qenë gjithmon objekt interesi për historianët. Kjo jo vetëm sepse muratoria është një institucion shekullorë por mbi të gjitha sepse ajo përfaqëson një fenomen kulturor dhe ekzistencial i cili është themelor në historiografi, veçanërisht për atë periudhë që shkon nga shekulli i XII deri në shekullin e XVIII. Ajo përfaqëson gjithashtu një lëvizje politike, ekonomike dhe sociale të jashtëzakonshme, të paktën deri në gjysmën e parë të shekullit të XVI. Por cila është origjina e Muratorisë? Cilat ishin forcat pas transformimeve që ajo pësoi gjatë shekujve?
Të dhënat e fundit arkivore dhe studimore sugjerojne se origjina e saj është e lidhur ngushtë me vëllazëritë mesjetare, më konkretisht me vëllazërit që kishin lindur në mesjetën e hershme. Kjo e fundit ishte një periudhë e paqëndrueshme dhe kaotike e cila nis me vdekjen e perandorit Justinan në vitin 565 dhe karakterizohej nga një spostim i madh i popujve, mungesa e një shteti të fortë e të qëndrueshëm, kataklizmat e vazhdueshme natyrore dhe kolaps i plotë i ekonomisë. Gjatë kësaj periudhe komunitetet mbroheshin dhe vetëmbroheshin sipas mundësive. Shpesh ato detyroheshin të vetëorganizoheshin në milici lokale, si për shembull ndodhte në Durrësin e vitit 760, në raste të tjera ato ishin të detyruara të krijonin vëllazëri të mirëfillta mbi të cilat të mbështeteshin për mbijetesë, siç ndodhte për shembull shpesh (por jo gjithmon!) rreth manastireve Benediktine aty nga fundi i shekullit të VIII-IX.
Këto vëllazëri, pavarësisht se krijoheshin rreth manastireve, nuk kishin gjithmon një natyrë fetarë apo detyrimisht të krishterë. Ndryshe nga çfarë mendohet sot, në Europën e asaj kohe paganizmi dhe gnosticizmi ishte shumë i përhapur. Si pasojë vëllazëritë mesjetare, edhe pse mund të frymëzoheshin dhe formoheshin nën modelin e jetës së krishterë, nuk ishin vetëm të tilla. Disa syresh ishin krejtësisht pagane. Për shembull ipeshkëvi Hinkmar i Reims në Francë tentoi të krishterizonte ritet e një “vëllazërie” të paspecifikuar në vitin 858. Kjo vëllazëri pranonte anëtarë përmes një riti betimi i cili zhvillohej vetëm me datë 26 dhjetor. Këto grupe mblidheshin fshehurazi dhe për arsye të ndryshme ishin një forcë e rëndësishme politike në Francën veriore. Ato për shembull kishin rol kyç në mbrojtjen e popullësisë mes lumit Luar dhe Sena gjatë sulmeve vikinge, kishin një kasë të përbashkët dhe kuotat që i paguanin në monedha argjendi përdoreshin për të ndihmuar një vëlla në vështirësi apo familjen e një vëllai të vdekur.
Në vitin 1190 një kalorës me emrin Wolfram von Eschembach shkruan një baladë të titulluar Parzival. Edhe pse kjo ishte një vepër letrare, mes rrjeshtave jepen informacione shumë të vlefshme në lidhje me vëllazërite kalorsiake mesjetare të cilat mund të na ndihmojnë të hedhim dritë mbi origjinën e vëllazërive mesjetare.
Disa vëllazëri të tjera kishin natyrë sinkretike dhe fluide. Pra ishin komunitetet që nuk i përkisnin besimit zyrtarë dhe nuk vepronin të strukturuara si një grup i organizuar. Për shembull në vitin 1163, në një letër të abatit gjerman Ekbert i Schönaut informohemi se e ashtuquajtura herezi katare ishte infiltruar në shumicën e manastireve mes Këlnit, Bonnit, Reims dhe Lionit dhe jetonte aty e pashqetësuar prej dekadash. Ekbert na informon se kjo vëllazëri kishte emra të ndryshëm në vende të ndryshme. Në Francën veriore ata njiheshin si Piphles ndërsa në Francën jugore si Endës (tessitori),nga zanati që ushtronin dhe infiltrimi i madh që kishin arritur të realizonin në korporatën e endësve. Ato ishin vëllazëri që qëndronin të bashkuara nga dy lidhëse: solidariteti dhe kredo e tyre. Pothuajse të gjitha aplikonin një rit inicimi i cili për ne sot është i mbuluar nga misteri për shkak të dëshmive shumë të pakta dokumentare.
Ishin këto vëllazëri që kishin nxitur Kishën Katolik të publikonte në vitin 1326 Dekretin e Avinjonit në të cilin ndalohej me shkishërim anëtarsimi në vëllazëri sekrete. Në nenin 2 të dekretit lexohet: “Në disa provinca, ka njerëz, kryesisht fisnikë, por ndonjëherë edhe njerëz të thjeshtë, që organizojnë shoqëri, të cilat janë të ndaluara nga ligji kishtar dhe ai civil nën emrin e vëllazërive. Ata mblidhen një herë në vit në vende të fshehta. Pasi hyjnë në dhomë, bëjnë betimin sipas të cilit duhet të mbështesin njëri-tjetrin kundër të gjithëve përveç Zotërinjve të tyre [dhe] të ndihmojnë, këshillojnë dhe ngushëllojnë njëri-tjetrin në çdo situatë. Ndonjëherë, pasi veshin një kostum uniforme dhe përdorin shenja dalluese sekrete, ata zgjedhin njërin prej tyre si udhëheqës të cilit i betohen për bindje të plotë.”
Nuk ka shenja serioze që këto vëllazërit, të kenë ekzistuar përpara mesjetës. Në fillim të shekullit të XX disa studiues me në krye R. A. Reitzenstein promovuan idenë se vëllazëritë e para ishin ato hermetike të krijuara ndoshta në Egjiptin e shekullit të II p.e.s. të cilat frymëzoheshin nga tekste si Corpus Hermeticum-in dhe figura e Hermes Trismegistus-it. Reitzenstein madje i vuri njerës prej këtyre vëllazërive emrin “Vëllazëria e Poimandres”-it. Sipas tij ajo duhet të ishte krijuar nga një prift egjiptian i cili bashkonte kozmologjinë Ptah me antropologjinë orientale perse dhe indiane. Studiues të tjerë tentuan të gjejnë lidhje mes vëllazërive të mesjetës së hershme dhe sekteve të Orfeut, Pitagorës, gnostikëve të krishterë të shekullit të parë, esenëve apo Collegia-ve romake, por pa sukses. Ato nuk kishin asnjë bazë dokumentare dhe në rastin më të mirë lidhjet e gjetura ishte rastesore dhe simbolike. Sot pra nuk ka asnjë të dhënë historiografike të sigurtë që t’i datoj vëllazëritë e mesjetës së hershme përpara shekullit të VIII-IX e.s. Çdo referencë e tyre në ritin apo alegorit aktuale të Muratorisë së Lirë ka funksion thjesht simbolik dhe pedagogjik.
Këto vëllazëri pra, të krishtera ose jo, për arsye historike dhe kulturore, në shekullin e XII si pasojë edhe e konsolidimit të shtetit, nisën të grupohen sipas profileve, interesave dhe talenteve. Kryesisht kjo do të thoshte organizim me bazë thirrjesh fetare, zejesh apo interesash tregtare. Të parat u kthyen në urdhëra kalorsiak ndërsa dy të tjerat në korporata. Ato mbanin monopolin e atyre zejeve që përfaqësonin dhe mbroheshin me ligj nga shteti. Dikush ka numëruar se vetëm në Londrën e shekullit të XIV kishte 110 korporata, ku përfshihej ajo e gurgdhendësve, farkëtarëve, marangozëve, noterëve, etj. Mes këtyre ndodhej korporata e muratorëve për të cilën kemi shenja se ekzistonte të paktën që prej vitit 1248.
❀
Muratoria Operative
(1248-1599)
Korporatat fillimisht kishin si funksion kryesor përcjelljen e “artit të punës” dhe solidaritetin mes anëtarëve. Ato ishin njëfarë institucioni arsimorë dhe i “mbrojtjes sociale”. E rrjetëzuar në të gjithë kontinentin korporata e muratorëve i ofronte mbrojtje dhe strehim të gjithë atyrë anëtarëve që për arsye të ndryshme ndodheshin në vështirësi gjatë ushtrimit të punës, gjatë transferimit në një punë tjetër apo periudhës së krizave politike dhe ekonomike. Dhe kjo asokohe ndodhte shumë shpesh.
Muratori mesjetar ishte i pashkolluar, i varfër dhe shpesh herë për të punuar duhej të udhëtonte për një kohë të gjatë larg familjes. Jeta e tij ishte e paparashikueshme dhe plot rreziqe. Shpesh herë punonte i vetëm, ndonjëherë me një koleg dhe në raste të veçanta në grup. Kur vepra ishte e një rëndësie të veçantë, si për shembull një katedraleapo një kështjellë, puna mund të zgjaste me dekada. Zakonisht ndërtimtaria zhvillohej mes muajve qershor dhe shtator, por në rast kur viti ishte i ngrohtë dhe kushtet atmosferike e lejonin, puna e tij shtrihej mes marsit dhe tetorit. Për këtë arsye kalendari astronomik dhe parashikimi meterologjik kishte një rëndësi themelore për ushtrimin e zanatit.
Kushtet e vështira të punës shpesh ishin fatale për muratorët mesjetar. Shumë prej tyre plagoseshin në mënyrë të parekuperueshme ndërsa kishte edhe nga ata që vdisnin në krye të detyrës. Ishte këtu që përmes solidaritetit aktivizohej vëllazëria e cila krijonte një “familje të madhe” e lidhur sëbashku jo më nga gjaku por nga interesi profesional dhe ai social. Kjo lidhje forcohej nga betimi ritual i cili e lidhte komunitetin e muratorëve në mënyrë të pazgjidhshme për të gjithë jetën. Ky betim ritual i dha jetë një proto-ceremonie e cila me kohën nisi të bëhet gjithnjë e më komplekse përmes elementëve të rinjë që nevojat i diktonin grupit.
Siç e përmendëm më lartë, në mesjetë muratorët ishin kryesisht zejtarë të pashkolluar dhe deri aty nga viti 1599 disa Lozha europiane kishin ende nevojë për një noter të jashtëm për të shkruajtur vendimet që merrnin. Vetë Lozha nuk ishte veçse një hapsirë e cila fillimisht shërbente si fjetore, vend ndërrimi apo mensë dhe që zakonisht ishte e ndërtuar brenda një shpelle aty pranë veprës që po ndërtohej apo si një kapanon përbri saj. Në fillim muratorët merrnin në Lozha edhe mësimet që lidheshin me ndërtimtarinë, pra ajo shërbente në njëfarë mënyre edhe si një shkollë ndërtimi.
Edukimi muratorian kishte një afat kohorë prej 7 vitesh dhe niste kur një “nxënës” qëndronte pranë një “mjeshtri” për të mësuar “artin”. Ky nxënës nuk kishte të drejtë të fliste, të bëntë sugjerime apo kritika. Nxënësi nuk paguhej. Ai nuk kishte të drejtë të futej në mbledhjen e muratorëve mjeshtra. Pas një periudhe 7 vjeçare, nëse mjeshtri i tij e kishte vlersuar të denjë, nxënësi mund të bëhej “ndihmës mjeshtër” dhe kështu të merrte pjesë në mbledhjet e muratoëve mjeshtra, por pa të drejtë fjale dhe ajo që ishte më e rëndësishmja, ai tashmë paguhej.
Për të rregulluar jetën brenda korporatës u shkruajtën disa herë ligje dhe statute, më i vjetri i të cilëve u hartua në Bolonja në vitin 1248. Duke qenë se, të paktën në fazën e parë, këto akte duhet të miratoheshin nga kardinali, princi apo mbreti i zonës, aty nga shekulli i XIV zanati i muratorit u njoh me emrin “Arti Mbretëror”. Në total nga viti 1248-1730, këto statute dhe ligje që rregullinin jetën muratoriane ishin plot 33 dhe përcaktojnë sot në historiografi ato që njihen si “Detyrat e Lashta”.
Me kalimin e shekujve korporata muratoriane u sofistikua dhe disa Lozha u kthyen në forume të mirëfillta diskutimesh mes mjeshtrave për përsosjen e “Artit muratorian”. Aty nga viti 1390 kemi shenja se disa Lozha, veçanërisht në qytetet e mëdha, nisën të përdoreshin për t’i mësuar nxënësve muratorë gjeometrinë. Kjo e fundit ishte e domosdoshme në ndërtimtari, sidomos kur kjo parashikonte vepra të mëdha dhe komplekse ku një gabim i vogël mund t’i kushtonte shtrenjtë të gjithë strukturës. Aty nga viti 1410 kemi dëshmi se në disa Lozha, veçanërisht ato angleze, muratorët formoheshin edhe në shkenca të tjera si gramatika, retorika, logjika, aritmetika, gjeometria, muzika dhe astronomia pra në ato që njiheshin si “Artet e Lira”.
Ish dhomat e fjetjes së muratorëve analfabet ishin kthyer tashmë në shkolla të mirëfillta të cilat konkuronin universitetet e kohës. Ndoshta jo rastësisht, më vonë, aty nga mesi i shekullit të XVII dy muratorë të lirë si Robert Moray (1608-1673) dhe Elias Ashmole (shih më poshtë) do të formonin në Londër në vitin 1660 të famshmen Royal Society.
Mes viteve 1248-1599 muratoria pra ishte një korporat, jeta e së cilës organizohej përmes statuteve të miratuara nga autoritetet lokale. Për shkak të natyrës komplekse të punës fillimisht mes muratorëve lindi nevoj për të zotëruar gjeometrinë e më pas shkencat e tjera të kohës të cilat njiheshin si “Artet e Lira”. Kjo e ktheu Lozhën ku mblidheshin muratorët jo vetëm në një shkollë por edhe në një “Agora” ku vlonte diskutimi, përcillej dija dhe përmirësohej arti i punës.
❀
Transformimi: Muratorët e Pranuar
(1550-1598)
Pas zbulimit të Amerikës në vitin 1492, Reformës Protestante e cila nisi në vitin 1517, rrethimit të Vjenës nga osmanët në vitin 1529 dhe luftrave fetare mes katolikëve dhe protestantëve që zgjatën të gjithë shekullin e XVI dhe kishin kulmin e tyre në gjysmën e parë të shekullit të XVII, korporatat nisën të zbehen. Goditjen e parë de jure ato e morën në vitin 1550 kur Perandoria e Shenjtë Romake nën drejtimin e Karlit V (1500-1558) i anulloi të gjitha privilegjet e tyre. Me forcimin e shtetit binte arsye themelore e ekzsitencës së korporatave. Tashmë ishte shteti që merrte përsipër të siguronte jetën dhe edukimin e qytetareve. Nisi kështu një rënie e ngadaltë e korporatave operative e cila do të përfundonte me zhdukjen e tyre të plotë me Revolucionin francez. Lindi pra nevojën, aty nga fundi i shekullit të XVI, që këto organizma të transformoheshin përsëri, nëse dëshironin t’i mbijetonin dallgëve të historisë.
Duhet shtuar këtu se gjatë shekullit të XVI dhe gjysmës së parë të shekullit të XVII pati një shpërthim të shoqërive sekrete ose gjysëm sekrete. Ishte e modës që grupe miqsh apo kolegës të krijonin shoqëri të cila kishin synime të ndryshme. Për shembull janë shumë interesante disa gravura të Albrecht Dürer (1471-1528) në të cilat janë përfshirë qartazi vegla të zejeve të ndryshme, të ndërthurura me simbole hermetike (shih gravurën “Melencolia I”, 1514). Shembuj të tjerë përfshijnë Shoqërinë e Frutave (Gjerm. “Die Fruchtbringende Gesellschaft”) u themelua në Vajmart nga profesor dhe aristokrat gjerman ashtu si në vitin 1577, në Berlin, u themelua “Urdhëri i të Pandashmëve”(gjerm. “Ordender Unzertrennlicheni”)cili i ndante anëtarët e vet në 5 grada dhe punonte kryesisht mbi alkiminë. Ky i fundit më pas do të quhej në vitin 1580 Orden Goldund Rosenkreuz, anëtari më i shquar i të cilit ishte Johann Valentin Andreae (1586-1654).
Është e paqartë pse dhe kur muratorët nisën të quhen “të Lirë” por tashmë aty nga fundi i shekullit të XVI gjejmë të shpërndarë në Detyrat e Lashta termin “Framason”, “Free Mason” apo “Freemason”. Dokumentet janë të rralla dhe sot historinët e kanë të paqartë evolucionin e saktë të emrit dhe të institucionit. Ajo që njohin me siguri ndërkohë është se aty nga fillimi i shekullit të XVI në Skoci korporata e muratorëve kishte pësuar një transformim radikal. Historiani David Stevenson i Universitetit të Shën Andres në Skoci i’a atribuon këtë transformim një njeriu të vetëm i cili njihet dhe nderohet edhe nga masoneria moderne si një nga Etërit e saj themelues. Ai ishte William Schaw.
Muratoria që lindi në fund të këtij procesi ishte diçka krejtë e re nga e para. Ajo tashmë nuk synonte më të ndërtonte vetëm godina dhe struktura madhështore por mbi të gjitha synonte të ndërtonte intelektualisht dhe shpirtërisht vetë muratorin. Kjo muratori e re ishte rezultat direkt i shkrirjes së korporatës mesjetare me frymën Humaniste të Rilindjes Europian dhe pragmatizmit britanik që shihte tek njeriu qendrën e universit. Tashmë qendra e Polis-it nuk ishte më katedralja apo kështjella e saj, por njeriu i cili përmes dijes (greq. gnosis) ishte i thirrur të ndërtonte një shoqëri më të mirë. Ndoshta gabimisht ky lloj i ri i Muratorisë u quajt “e Pranuar” në ndryshim nga ajo e mëparshmja e cila njihet si Operative. Siç do të shohim më pas, Muratorët e Pranuar, do ti jepnin jetë më tutje asaj që njihet si Muratoria Spekulative.
Nga mesi i shekullit të XVI deri aty nga fundi i shekullit të XVIII do të ekzistonin paralelisht dy muratori: Muratoria operative mesjetare, e cila do të zhdukej pas vitit 1789 pas Revolucionit Francez dhe Muratoria e Pranuar e krijuar nga William Schaw e cila ekziston edhe sot. E dyta do nis të përhapet ngadal nga Skocia në të gjithë Europën dhe për segmente të mëdha kohore do të bashkë-ekzistoj me të parën në një fazë tranzicioni e cila do të kulmoj në vitin 1717 kur edhe do të ndahen përfundimisht.
❀
Muratoria Spekulative
(1599-1717)
Sipas versionit më të besuar sot, aty nga fundi i shekullit të XVI, Muratoria nis të ndahet në Operative dhe e Pranuar. Tek kjo e fundit bënin pjesë ata që nuk ushtronin profesionin e muratorit por që ishin aristokrat, të shkolluar, të pasur dhe që kishin ndikim të madh në shoqëri, të cilët “pranoheshin” në Lozhat skoceze si të Lirë, pa detyrimin për të ushtruar profesionin e muratorit. Sipas këtij versioni edhe shenjat sekrete të masonerisë nuk lindën – siç mendohet shpesh gabimisht – për të mbajtur vëllazërinë e fshehtë nga inkuizicioni katolik. Në fakt në kontekstin skocez të kohës kur u krijuan edhe shenjat sekrete, Kisha Katolike jo vetëm nuk kishte asnjë lloj pushteti real në Mbretërinë e Skocisë, por ishte edhe një minorancë deri diku e persekutuar me këmbëngulje nga elita. Shenjat dhe fjalët sekrete pra – siç sugjeron së fundmi historiani John Dickie – erdhën për të ndarë Muratorët e Pranuar nga ata Operativ.
Sipas një tjetër varianti, titullin “të Lirë” muratorët e kishin edhe përpara transformimit dhe me të klasifikoheshin të gjithë ata muratorë që kishin fituar aftësinë të modelonin gurin lirshëm, sipas vullnetit dhe vizionit, në ndryshim nga nxënësi dhe zejtari i cili e kishte këtë mundësi “të kufizuar”. Sipas këtij varianti për herë të parë muratorët u quajtën “të Lirë” në vitin 1212 ku në një dokument cilësohen si “Sculptores lapidum liberorum”. Por ky version nuk bind shume për shkak se titulli nuk gjen vazhdimsi në shekujt e mëvonshëm. Ashtu siç nuk bind teza se titulli “i Lirë” erdhi si pasojë e përjashtimit nga taksat.
Përpos bashkimit me klasat aristokratike të shoqërisë, dy momente të tjera shenjuan në mënyrë përfundimtare transformimin e muratorisë së lirë nga operative në spekulative. Momenti i parë ka të bëj me “pranimin” e grupeve të marxhinalizuara të shoqërisë mesjetare si hebrenjtë, heretikët, shkenctarët dhe mendimtarët e lirë. Këta, shpesh të diskriminuar nga elitat sunduese, gjetën brenda Lozhave një ambjent të hapur, të lirë dhe tolerant. Këtu rasti më emblematik është ai i Elias Ashmole (1617-1692), një nga intelektualët më të famshëm të kohës së tij, bashkëthemelues i Royal Society. Ashmole, një hebre me dije të jashtëzakonshme, pati rolin e madh që i dhuroi vëllazërisë lidhjen me filozofinë pansofiste. Kjo e fundit një nga lëvizja më e madhe inteletuale të kohës, synonte një integrim total të dijes dhe përvojës njerëzore dhe përfaqësohej ndër shekuj nga emra si Joachim de Fiore (1135-1202), Raimondo Lullo (1232-1316), Marsilio Ficino (1433-1499), Johann Reuchlin (1455-1522), Johannes Trithemius (1462-1516), Giovanni Pico Della Mirandola (1463-1494), Francesco Giorgi (1466-1540), Albrecht Dürer (1471-1528), Cornelius Agrippa (1486-1535), Theophrastus von Hohenheim – Paracelsus (1493-1541), John Dee (1527-1609), Jacob Bohme (1575-1624), Johannes Valentin Andreae (1586-1654) dhe John Amos Comenius (1592-1670). Moto e tij “Ex Uno Omnia” i dha jetë brenda vëllazërisë një botëkuptimi të tër filozofik – neoplatonian dhe pansofist – i cili vazhdon të jetë edhe sot një nga kolonat e Muratorisë së Lirë.
Një moment tjetër shumë i rëndësishme në transformimin e Muratorisë ishte zjarri i vitit 1666 në Londër. Më 2 shtator 1666 u dogjën mbi 13.000 shtëpi, 87 kisha dhe rreth 80% e qytetit të vjetër brenda mureve mesjetare. Kjo në fakt ishte tragjedia e dytë brenda vitit pasi prej verës së vitit 1665 dhe gjatë të gjithë vitit 1666 në Londër qindra mijëra banorë ishin prekur nga murtaja. Siç ishte e pritshme dhe e kuptueshme të ndodhte në rindërtimin e qytetit muratorët morën një rol jashtëzakonisht të madh. Mes tyre edhe ata që konsideroheshin “të Lirë dhe të Pranuar” që shërbenin si arkitekt , matematikan, inxhinier, etj. Prej këtyre më të famshmit ishin sir Christopher Wren (1632-1723), Thomas Wise (1618-1685) dhe Robert Hooke (1635-1703). Zjarri i Londrës i dha Muratorëve të Lirë famë dhe ndikim të madh dhe gjithashtu shumë pasuri për shkak se e gjithë ekonomia e kryeqytetit, të paktën deri në vitin 1708, rrotullohej rreth rindërtimit. Për shkak të fuqisë financiare dhe prestigjit të madh muratorët e Lirë dhe të Pranuar u thirrën të bënin pjesë në dy partitë e mëdha britanike që u formuan mes viteve 1678 –1688, respektivisht Tory dhe Whig Party. Mes të dyjave, krejt natyrshëm, shumë muratorw e panë veten më afër ideologjikisht me Whig Party e cila ishte në thelb më liberale, reformatore, parlamentariste dhe progresiste. Do të ishte pikërisht anëtarët e Whig Party që do të lehtësonin ngjitjen në pushtet të dinastisë Hanover. Kjo e fundit më pas, një nga shtysat më të forta në zgjerimin e rrjetit të lozhave muratoriane në të gjithë Perandorinë.
Aty nga fundi i shekullit të XVII Muratoria duket se kishte çdo gjë për të dal në sipërfaqe si një forcë e madhe intelektuale. Ajo tashmë zotëronte një filozofi të vetën (neoplatonizmin-pansofist), fuqinë dhe vizionin politik (liberal-progresist) dhe rrjetin e gjërë të Lozhave në Britani për të jetësuar vizionin e vetë për botën. Në fillim të shekullit të XVIII ajo përbënte në Londër një farë “elite brenda elitës” – siç e përkufizon historiani John Dickie.
Në Londrën e atyre viteve – pra mes viteve 1714-1717 – ishin me mijëra klubet që krijoheshin, mblidheshin apo organizoheshin rreth interesave të ndryshme. Qyteti asokohe kishte mbi 2,000 taverna, shumica e të cilave kishte klubet e veta të interesit. Disa prej tyre kishin madje edhe rite inicimi ad hoc. Mes trendeve të kohës, ai më i forti ishte interesi mbi politikën, filozofinë, ekonominë, letërsinë, por nuk mungonin edhe klube që e bazonin interesin e tyre mbi okultizmin, esoterizmin, hermetizmin dhe kabalanë. Ishte në një nga këto taverna, që asokohe mbante një emër aspak të lavdishëm si “Pata dhe skara”,që katër klubet e Muratorëve të Lirë dhe të Pranuar u mblodhën natën e 24 qershorit 1717 për të formuar Lozhën e Madhe të Anglisë. Pavarësisht emrit jo frymëzues (ose shumë frymëzues!) taverna ndodhej ngjitur me Katedralen e Madhe të Shën Palit, një kryevepër e muratorit të lirë Christopher Wren. Ajo ishte nyja që në njëfarë mënyre apo në një tjetër lidhte të gjithë aristokracinë londineze të kohës. Atë të enjte qershori katër Lozhat londineze vendosën që të caktonin si Mjeshtër të Madh librarin Anthony Sayer (1672-1741)dhe të porosisnin tek një jurist dhe pastor presbiterian me emrin James Anderson (1679-1739) një Kushtetutë që do të shërbente si dokument themelor. Por njeriu që kishte vërtetë pushtetin aty ishte asistenti i sir Isaac Newton-it dhe anëtari i Royal Society John Theophilus Desaguliers (1683-1744).
Në vitin 1723 Muratoria e Lirë kishte një Kushtetutë të vetën e cila u rishikua 15 vite më vonë po nga i njëjti autor, pastori presbiterian James Anderson. Institucioni “i ri” u konsolidua dhe mori edhe më shumë famë dhe seriozitet duke tërhequr brenda vetes njerëz edhe më të fuqishëm dhe intelektual me zë. Kështu u bën pjesë e saj baroni Montesquieu (1689-1755) i iniciuar në vitin 1730; kryeministri Robert Walpole (1676-1745) i iniciuar në vitin 1730; kryeministri i ardhshëm Henry Pelham (1694-1754) i iniciuar në vitin 1730; Aleksander Pope (1688-1744) i iniciuar në vitin 1730; perandori Franz Stefan Habsburg (1708-1765) i iniciuar ne vitin 1730; Benjamin Franklin (1706-1790) i iniciuar në vitin 1731; princi Frederik i Uellsit (1707-1751) i iniciuar në vitin 1737; mbreti Frederiku II i Prusis (1712-1786) i iniciuar në vitin 1738; Étienne Bonnot de Condillac (1715–1780) i iniciuar në vitin 1740, Jean-Jacques Rousseau (1712–1778), i iniciuar rreth vitit1744, etj, etj.
Kjo hapje ndaj shtresave të larta sidoqoftë erdhi me një çmim të shtrenjtë. Shumë e panë Muratorinë e Lirë si një hapsirë ku mund të binin në kontakt me aristokracinë vendase dhe të huaj dhe kështu të ngjisnin shkallët e shoqërisë më lehtë. Ndaj aty nga mesi i shekullit të XVIII Muratoria u përball me një fluks të madh inicimesh. Shumë nga vëllëzërit ishin vërtetë “njerëz të lirë dhe me zakone të mira”, “kërkues” të sinqertë të Dijes dhe të Vërtetës, por disa të tjerë ishin sharlatanë, mashtruesë, oportunistë dhe aventurierë. Secili kërkonte të hapte Lozhën e tij dhe të tërhiqte aty politikanin, financierin, arkitektin apo filozofin më të rëndësishëm. Nisi kështu një garë ofertash iniciatike, pseudodokumentesh gjasme të zbuluara nëpër arkiva dhe sekretesh të patreguara më parë, që në pak dekada degradoi një pjesë të muratorisë në rite qesharake dhe të sikletëshme, disa prej të cilave ende aktive sot. Një shekull më pas Jean-Marie Ragon shkruan se në vitin 1841 masonët, numëronin brenda familjes së tyre 75 ndarje të mëdha, 52 rite, 34 urdhëra, të cilat në total ngjisnin 1,400 grada. Një shekull përpara tij, pra mes viteve 1740-1760, situata ishte edhe më “dramatike” por për atë periudhë nuk kemi statistika. Lindi kështu nevoja për të rregulluar ritin dhe gradat brenda Muratorisë së Lirë nga profanizimi i tre gradave të para, të njohura edhe si Muratoria Blu.
❀
Apogjeu
(1717-1782)
Muratoria e Lirë pati padiskutim, mes viteve 1717-1789, apogjeun e vet. Ajo tashmë ishte shpërndarë në të gjitha kryeqytetet e Europës dhe më gjerë. Në vitin 1726 lindi lozha e parë franceze, në vitin 1730 lindi lozha e parë në Firenze, në vitin 1734 Kushtetuta e Andersonit u publikua e rishikuar nga Benjamin Franklin në Amerikë, në vitin 1737 lindi lozha e Hamburgut, ndërsa në vitin 1742 u krijua lozha e parë në Pragë.
Shumë të rallë ishin intelektualët e kohës që nuk ishin pjesë e Muratorisë së Lirë ose të paktën nuk ishin ndikuar nga filozofia e saj (shih më lartë). Radhët e lozhave u shtuan me personazhe të jashtëzakonshëm si George Washington (1732–1799) i iniciuar në vitin 1752 në Virxhinia, SHBA; Mbret i Suedisë Adolf Frederick, (1710–1771) i iniciuar në vitin 1762 në Stokholm; Johann G. Herder (1744–1803) i cili u iniciuar në vitin 1766 në Riga; Gotthold E. Lessing (1729–1781) i cili u iniciua në vitin 1771 në Wolfenbüttel; Joseph de Maistre (1753–1821) i iniciuar rreth vitit 1774 në Chambéry; Marquis de Lafayette (1757–1834) i iniciuar në vitin 1777 në Paris; Volter (1694–1778) i iniciuar në vitin 1778 në Paris; Jean-Baptiste Kléber (1753–1800) u iniciua rreth vitit 1778 në Strasburg; Johann Wolfgang von Goethe (1749–1832) i iniciuar në vitin 1780 në Weimar; Honoré-Gabriel de Mirabeau (1749–1791) u iniciua rreth vitit 1783 në Berlin; Wolfgang Amadeus Mozart (1756–1791) i iniciuar në vitin 1784 në Vjenë; Johann G. Fichte (1762–1814) i cili u iniciua në vitin 1800 në Berlin. Filozof të tjerë si Kant, Schelling, Hegel, Schopenhauer u ndikuan thellësisht prej saj edhe pse nuk ka prova se kanë qenë iniciuar ndonjëherë në ndonjë lozhë të rregullt.
Nuk ishin vetëm emrat e personaliteteve të përvetshëm që i bashkoheshin Murarorisë së Lirë apo frymëzoheshin nga parimet saj, por edhe lëvizje politike dhe intelektuale si ajo për pavarësinë e kolonive amerikane, Iluminizmi francez dhe idealizmi gjerman që e kishin kthyer atë në një pikë të fortë referimi. Këto prodhuan dokumente zyrtare që më tutje u kthyen në kollona të vërteta juridike dhe filozofike për qytetërimin perëndimor. Rastet emblematike janë Enciklopedia e Denis Diderot dhe Jean-Baptiste le Rond d’Alembert (asnjëri murator i lirë, por të dy shumë pranë saj) në vitin 1751; Kushtetuta Amerikane ku vëllezërit murator të lirë si George Washington, Benjamin Franklin dhe William Blount (1749-1800) bashkë me10 të tjerë patën rol kyç në formulim; Deklarata e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit që pati një ndikim të pamatshëm në historinë e botës perëndimore, u krijua në vitin 1789 nga një grup muratorësh të lirë që drejtoheshin nga Marquis de Lafayettedhe Emmanuel Joseph Sieyès (1748-1836).
