❀
Muratoria e Lirë
Muratoria e Lirë është pikë së pari një shkollë e mendimit. Ajo është produkt i një evolucioni të vazhdueshëm, që e ka latuar ndër shekuj si një hapsirë ku burra të elitës shoqërore mund të kultivonin shpirtin dhe mendjen në liri të plotë. Lozhat masonike, deri në mesin e shekullit të XIX, kanë qenë kantiere ku është ndërtuar një pjesë e mirë e kulturës moderne perëndimore. Vendet euroatlantike i detyrohen asaj për konceptet themelore si liria, barazia, vëllazëria, laiciteti, toleranca, demokracia dhe edukimi. Disa Kushtetuta si ajo amerikane dhe dokumente me rëndësi historike si Karta e të Drejtave të Njeriut jane produkt i drejtpërdrejtë i mendimit masonik. Fuqia e saj intelektuale, rrjeti i gjerë i solidaritetit dhe shpirti i lirë e kanë bërë Muratorinë e Lirë një nga kolonat ku mbështetet e gjithë stuktura kulturore e qytetërimit perëndimorë. Kundërshtarët e saj e kanë lidhur padrejtësisht me konspiracione dhe pushtete okulte, me rite satanike apo veprimtari antidemokratike por ajo, për ata që e njohin mirë, është krejt tjetër gjë. Një ofiçinë ku vëllezërit ushtrojmë zejen e mrekullueshme të dijes dhe të mendimit. Një fabrik e ideve dhe parimeve shoqërore bazë pa të cilat vetë demokracia nuk do të ekzistonte kurrë. Një ecje origjinale përmes miteve, legjendave, simboleve, alegorisë dhe riteve për të zbuluar veten, tjetrin dhe Zotin. Një rrugëtim fantastik që përdor historinë, filozofinë dhe artin për të zbuluar realitetet e thella dhe të padukshme të ekzistencën njerëzorë. Muratori autentik, ai i verteti, gërmon burgje të thella për veset, i ndërton tempuj virtyteve dhe punon për të mirën e njerëzimit.
❀
Parimet filozofike bazë
Arkitekti i Madh i Gjithësisë
Pavarësisht disa devijimeve jo origjinale dhe të mëvonëshme, Muratori i Lirë është zakonisht një besimtar i devotshëm i cili është i bindur për ekzistencën e një Fuqie Transhendentale. Fjala “kozmos” do të thotë “rend”. Ajo u përdor për herë të parë nga Pitagorë si një antinomi e fjalës “kaos”. Muratori Lirë këtë rend, pra Kozmosin tonë, e sheh si dicka të gjallë, e cila merr jete pikërisht nga vullneti i një Arkitekti të Madh. Në kushtetuten e vitit 1723, sanksionohet qartë se “muratori i lirë nuk mund të jetë një ateist budalla”.
Gjithsesi Muratoria e Lirë nuk vendos përkufizime mbi Arkitektin e Madh. Ajo mendon se ne, qëniet njerëzore, jemi të pamundura për ta njohur deri në fund natyrën e Tij të vërtetë ndaj dhe përcaktimet mbi Të nuk mund të jenë kurrë përfundimtare. Secili murator i lirë është i ftuar të sjell në Lozhë iden e tij mbi Arkitektin e Madh, me të vetmin kusht se ai njëkohësisht duhet të respektoj edhe idenë që vëllezërit e tjerë kanë mbi Të.
Disa e kanë parë këtë si burim të Relativizmit. Ne përgjigjemi se vetë Arkitekti i Madh i Gjithësisë, Krijuesi i Qiellit dhe i Tokës, i gjërave të dukshme dhe të padukshme, e ka bërë këtë zgjedhje kur i ka dhuruar njeriut Lirinë e tij. Ai nuk është një Diktator i interesuar për nënshtrimin e verbër të njeriut. Për këtë qëllim sot kemi një varietet bindjesh dhe besimesh të cilat, përmes rrugëve të ndryshme, e lidhin Njeriun me Të. Njerëzit janë të ftuar të respektojnë të gjitha format përmes të cilave Arkitekti i Madh i Gjithësisë ka vendosur ti zbulohet kulturave të ndryshme, sipas talenteve respektive.
Tradita e Madhe
Muratori i Lirë beson se nuk ekziston një rrugë e vetme për tek e Vërteta. Shkëndija të saj mund të gjenden tek të gjitha metodologjitë, filozofitë dhe besimet. E gjithë historia e njerëzimit, mitet, legjendat, ritet, simbolet dhe alegoritë mbajnë në vetëvete atë që filozofët e quanin Preambula Fidei, pra një parapërgatitje për takimin me të Vërtetën e Amshuar. Nga këtu edhe nevoja për ta studiuar dhe kuptuar Përvojën, Besimin dhe Dijen njerëzore në të gjitha format e saj, pa përjashtim. Muratori i Lirë beson se një ditë njerëzimi do ta gjej këtë të Vërtetë përmes Dritës së Arsyes edhe pse nuk sheh detyrimisht tek Arsyeja të vetmen rrugë për tek e Vërteta.
Toleranca dhe Vëllazërimi
Nga këtu një nga konceptet themelore të Muratorisë së Lirë dhe të Qytetarimit Perëndimorë sot. Në bazë të marrëdhënive njerëzore nuk mund të jetë konflikti, përjashtimi apo lufta për superioritet ideologjik apo religjoz. Konflikti dhe gara, e cilësdo përmase, nuk ka kuptim në kontekstin e një “rrugëtimi të përbashkët”. Muratori i Lirë sheh tek të gjithë njerëzit një vëlla. Diskriminimi, i çfarë do llojshëm qoftë ai, nuk është i pajtueshëm me Muratorinë e Lirë. Respekti për Tjetrin, dialogu gjithëpërfshirës dhe toleranca, janë për muratorin e lirë virtytet më të larta njerëzore që duhen kultivuar me durim dhe këmbëngulje. Ato janë vlerat që na lejojnë të zbulojmë tek Tjetri, Arkitektin e Madh të Gjithësisë.
Dinjiteti Njerëzor
Muratoria e Lirë ka qenë dhe është aktualisht një nga nxitëset kryesore të Humanizmit. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për idenë e një antropocentrizmi të vërbër dhe naiv por për bindjen se Njeriu është arsyeja e Kozmosit dhe Masa e tij. Tek secili nga ne, pa asnjë përjashtim, gjendet një shkëndije hyjnore që na bën të vlefshëm dhe unik. Ne besojmë se subastanca e Njeriut është krijuar sipas imazhit të Arkitektit të Madh. Se brenda nesh gjendet i njëjti rend dhe e njëjta Dritë që sundon Kozmosinë e paanë, me të cilin jemi të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme. Secili nga ne ka nderin dhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në Historinë njerëzore, pavarësisht kontributit që jep në shoqëri. Dinjiteti Njerëzorë pra është i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm në asnjë formë dhe mbi asnjë argument.
Çdo qenie njerëzore, pa dallim moshe apo kapacitetesh, para se të lind dhe madje edhe pasi të ketë vdekur, duhet të gëzojë respekt të plotë. Ne besojmë se secili nga ne ka brenda vetes një Dritë të Amshuar e cila zbehet ose ndizet në bazë të kushteve në të cilat ndodhet. Muratoria e Lirë është një institucion i cili e amplifikon atë Dritë me qëllim lartësimin dhe plotësimin e Njeriut. Tjetërsimi i njeriut dhe depersonalizimi i tij është i papajtueshëm me Muratorinë e Lirë. Për ne shprehja më e lartë e respektit për Dinjitetin Njerëzorë është respektimi i lirisë së tij me kufizimin e vetëm që ajo liri nuk duhet të cënoj dinjitetin dhe lirinë e dikujt tjetër.
Drita e Arsyes dhe Progresit
Ashtu si filozofët e lashtë grek edhe muratori i lirë beson se jeta ndodhet vetëm brenda lëvizjes. Pa lëvizje nuk ka jetë. Si pasojë, në vizionin muratiorian, Njeriu është një qënie në zhvillim të vazhdueshëm. Ai nuk mund të qëndroj statik dhe as nuk mund të mbaj një qëndrim pasiv ndaj botës që e rrethon. Ndryshe rrezikon asgjesimin nga forcat e Natyrës. Progresi në njëfarë mënyre është rruga e tij e vetme. Forma dhe përmbajtja e këtij progresi duhet të jetë më pas e diskutueshme.
Dëshirën për të njohur dhe kontrolluar botën që e rrethon, ne besojmë se Arkitekti i Madh i Gjithësisë ja ka vendour njeriut në zemër që në krijimin e tij. Kjo dëshirë legjitime e ka nxitur atë jo vetëm të eksplorojë hapsira të panjohura por edhe të zbulojë aty rendin e mrekullueshëm që sundon universin tonë. Muratori i Lirë sheh tek ky rregull kozmik gjuhën dhe arsyen e Arkitektit të Madh, atë që grekët e quanin Logos. Ai sheh tek Njeriu mishërimin më të bukur dhe plotë të Logosit. Në fakt në vizionin muratorian Njeriu është një Mikrokozmos, reflektim i Makrokozmosit.
Njeriu pra është i ftuar që përmes Artit të Arsyes ta njoh botën që e rrethon. Përmes këtij procesi gnoseologjik muratori i lirë synon çlirimin nga ciklet e verbëra të natyrës dhe robërimin që vjen prej instikteve të saj. Ky çlirim për të nuk është një akt rebelimi ndaj Arkitektit të Madh dhe as një tentativë për ta zëvendësuar apo sfiduar Atë, por përkundrazi një tentativë e sinqertë për tu afruar me Të.
❀
Përfundim
Të jesh një Murator i Lirë do të thotë të jesh një kërkues i vazhdueshëm i dijes. Do të thotë të jesh vëzhgues i mirë i fenomeneve antropologjike, historike, kulturore, sociale dhe artistike. Të kërkosh mes tyre dhe përditshmërisë kuptimin e jetës dhe përgjigjet fundore të pyetjeve ekzistenciale. Të ndërtosh me to një mendim dhe besim personale. Të jesh një Murator i Lirë pra presupozon një punë të vazhdueshme për ngritjen e tempullit vetjak dhe për ndërtimin e një shoqërie më të mirë.
Në rrugëtimin e tij mijëravjeçarë Njeriu ka ecur simbolikisht mes “zjarrit”. Ekzistenca e tij ka qenë e karakterizuar nga vuajtje, dhimbje, sakrifica, luftra të brendshme dhe në fund vdekja. Muratoria e Lirë, duke pasur në thelb një qasje pozitive, ka parë tek ky “zjarr” një proces purifikimi i cili në fund ka pasur (dhe ka edhe sot!) si synim fundor një rinovim të plotë të natyrës njerëzore. Ky synim fundor, i njohur nga hermetistët mesjetar si INRI (lat. “Igne Natura Renovatur Integra”), ishte thelbi i shpresës masonike se në fund Drita Hyjnore, do ta ndriçonte Njeriun të gjente rrugën për tu rikthyer edhe njehërë në Kopshtin metaforik të Edenit, aty ku ai do të jetonte në harmoni të plotë me veten, natyrën dhe Zotin.
